Lajmet e fundit!

Hoti thotë se Kuvendi është në paralizë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti përmes një postimi të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook ka njoftuar për mbledhjen e grupit parlamentar të LDK’së dhe diskutimin që kanë pasur për seancën e nesërme të Kuvendit dhe kaosin e krijuar në Kuvend.

Sipas Hotit, në Kuvend kalojnë vetëm ato pika që dëshiron opozita, ose ato pika që Kadri Veseli arrin t’i dakordojë me PSD’në.

“Sot ishte edhe një seancë e dështuar e Kuvendit të Kosovës. Në rend dite ishin 61 pika, nga 8 seancat e Kuvendit gjatë vitit 2019. Të 11 seancat e sesionin vjeshtor 2018, dhe gati të gjitha seancat e këtij viti janë të hapura. Kuvendi i Kosovës është paralizuar. Në Kuvend kalojnë vetëm ato pika që dëshiron opozita. Ose ato pika që Kadri Veseli arrin t’i dakordojë me PSD-në”.

Shefi i deputetëve të LDK’së ka kritikuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin si përgjegjës për kaosin në të cilin e ka futur Kuvendin e Kosovës.

“Asnjë seancë e Kuvendit nuk fillon në kohë. Deputetët enden korridoreve pa asnjë informatë. Kjo është nëpërkëmbje e dinjitetit të deputetit dhe të Kuvendit, si institucioni më i lartë i shtetit. Kryetari i Kuvendit, që e quan veten shef të PAN-it, nuk merr asnjë përgjegjësi për kaosin në të cilën e ka futur Kuvendin e Kosovës. Institucionet e Kosovës po udhëhiqen në mënyrë jo demokratike. Një qeveri që nuk e ka shumicën po mban peng rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë një qeverisje jo demokratike. Prandaj, përmes angazhimit tonë në Kuvendin e Kosovës, ne po dëshmojmë se kjo qeveri nuk ka legjitimitet për të qeverisur”, ka shkruar Hoti.