Haradinaj i dërgon porosi Vuçiqit për gjendjen në Veri

Kryeministri , Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj propagandës serbe që po bëhet lidhur me situatën në veri të  Republikës së Kosovës, kinse në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ka krizë humanitare dhe se qytetarët e asaj pjese kanë mbetur pa ilaçe e gjëra tjera elementare për jetesë.

Haradinaj këto i ka quajtur si skenarë mashtruese të Serbisë, duke thënë se Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga misioni për respektimin dhe shtrirjen e ligjit në atë pjesë, duke i dërguar mesazh Vuçiqit se Republika e Kosovës kontrollon gjithë territorin e saj.

Kreu i Qeverisë ka kujtuar edhe veprimet e institucioneve të Kosovës të ndërmarra më herët, për ndalimin e kontrabandës që bëhet në veri të Kosovës.

Sipas tij përveç kësaj , Kosova ka kontroll të plotë edhe në vijën e gjelbër në veri, pjesë kjo që e kufizon Republikën e Kosovës me Serbinë.

“Institucionet e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e të gjitha aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare në zonën e rripit të gjelbër që kufizon në pjesën veriore Kosovën dhe Serbinë. Asnjë skenar mashtrues ose lajm i rremë nuk do të ndikojë që institucionet kredibile dhe të ligjshme të Kosovës të heqin dorë nga misioni i tyre për zbatimin dhe sigurimin e sundimit të ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë zonën e rripit të gjelbër në veri ku edhe kufizohet Republika e Kosovës me Serbinë.”,  ka shkruar Haradinaj.

Se në veri të Kosovës nuk ka ndonjë krizë humanitare e kanë konfirmuar edhe nga Dogana e Kosovës, të cilët tregojnë se atje janë të gjithë artikujt e mundshëm të cilët plotësojnë nevojat bazike të qytetarëve që jetojnë në atë pjesë.

“Mallra ushqimore( mish, produktet mishi, produkte bylmeti, pemë, perime, drithëra, zarzavate, sheqerna, prodhime mielli, pije, fruta, et). Ndërsa, lendë djegëse ( naftë, mazut, vajrat minerale, kemikate, produktet farmaceutike, esktrakte ngjyrosese , produktet sanitarie, produkte ndryshme kimike)” ka thënë zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, teksa ka treguar listën e produkteve që gjenden në treg në atë pjesë.

Ai ka thënë se përveç, gjërave elementare ushqimore, banorëve të veriut u janë lejuar edhe të paisje, aparatura medicinale e edhe medikamente shëndetësore.