Lajmet e fundit!

Festivali kosovar në qendër të Beogradit

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, do të mbahet nga 29 maji deri më 1 qershor të këtij viti

Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

I ftuar në emisionin e mëngjesit në T7 #gjesi, drejtori i festivalit Kushtrim Koliqi ka thënë se këtë vit festivali zhvillohet në një periudhë specifike, kur marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit është në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Një krizë e dukshme politike po reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. Kjo sipas tij dekurajon më tej bashkëpunimin mes dy shoqërive, jo vetëm në sferën kulturore, por edhe në tregti, sport, arsim dhe në të gjithë sektorët e tjerë.

Edhe këtë vit, festivali i dërgon një mesazh të qartë publikut dhe elitës politike të Kosovës dhe të Serbisë – barrierat duhet të thehen, jo të ndërtohen.

Ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes një sërë dramash, shfaqjesh, filmash, koncertesh dhe ekspozitash. Një pjesë e festivalit do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.

Hapja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bëhet të mërkurën me 29 maj me shfaqjen e filmit “Cold November”, me regji të Ismet Sijarinës.